Autoritetet serbe kanë planifikuar “katastrofë humanitare” në veri të Kosovës, duke u kërkuar bizneseve ushqimore dhe barnatoreve largimin e të gjitha mallrave nga vitrinat.

Megjithëkëtë, jo të gjitha bizneset kanë nisur zbatimin e këtij plani.

Gjatë së mërkurës, një pjesë e vetëshërbimeve në Mitrovicën Veriore kanë qenë të stërmbushura me mallra ushqimore dhe mirëmbajtje, kryesisht prodhime serbe.

Ndërsa një pjesë tjetër ka qenë thuajse tërësisht e boshatisur, në veçanti tek prodhimet e qumështit.

"Kemi problem me furnizim me gjëra tona serbe për shkak të rritjes së taksës ashtu që gjithmonë e ma pak ka gjëra ushqimore të cilat janë të domosdoshme për jetën e përditshme të serbëve dhe ekzistencën e tyre në Kosovë”- tha një qytetare.

Pyetjes se pse nuk dilni me ble në Mitrovicën e Jugut, qytetarët iu përgjigjën:

“Unë jam serbe dhe zgjedh vetëm prodhimin serb”, ka thënë një banore e Mitrovicës së Veriut. ” Faleminderit prej Zotit ka mallra boll”- u shpreh një qytetar.

Madje, sipas qytetarëve të jugut, banorët serb nuk po blejnë më si më parë në pjesën jugore.

“Ka qarkullim edhe tash ama jo si përpara. Bile një person i Leposaviqit dje u kanë këndej, po nuk ka guxoftë me marrë, se ai merr mish shumë se ka në Leposaviq qebaptore e restaurant. Nuk guxojnë se urdhrin e kanë prej Beogradi sigurisht se marrin shumica pensione edhe prej Beogradi e ua ndalojnë nëse nuk i përfillin urdhëratë”, ka thënë një taksist i cili qëndronte në afërsi të Lagjes së Boshnjakëve të Mitrovicës Veriore.

Ky plan është planifikuar si pasojë e aksionit të policisë në këtë rajon.
Po të njëjtat burime kanë treguar se grupi i kontrabanduesve është duke kërkuar policë te tjerë të cilët do të bashkëpunonin me ta për t’ju mundësuar siguri gjatë futjes së mallit të kontrabanduar, por aksioni u ka shkaktuar frikë të madhe.

Që nga aksioni i policisë vetëm një kamion dhe dy kombi janë zënë nga policia në bashkëpunim me doganën teksa kontrabandonin mallra. /TCH