Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë dhe shefja e Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Nataliya Apostolova kanë dënuar kërcënimin fizik ndaj kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani të premten, nga një deputet i LDK.

Përmes një postimi në Twitter, ambasada amerikane thotë se kuvendi po humb kohë duke u shpërqendruar në sulme personale dhe retorika politike, dhe nuk po arrin të marrë përgjegjësinë për të zgjidhur krizën ekonomike dhe shëndetësore në vend.

Ndërkaq, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Apostolova, tha se dhuna nuk ka vend në shoqëri demokratike e sidomos ndaj gruas.

Seanca e Kuvendit të Kosovës në të cilën po diskutohej projektligji për rishikimin e buxhetit të Kosovës, të premten në mbrëmje, u ndërpre pas një përplasjeje verbale mes deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhavit Ukaj dhe kryetares Osmani.

Ukaj u ngrit nga ulësja e tij, duke iu afruar Osmanit më tone kërcënuese. Kryeparlamentarja, më vonë, përmes një postimi në Facebook njoftoi se ka denoncuar rastin në polici.