Afër 50 për qind e ekonomive familjare në Kosovë nuk mund të mbulojnë, me mjete vetanake, një shpenzim të papritur prej 100 eurosh. Kështu thuhet në një raport të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), ku jepen të dhëna për kushtet e jetës.

Edhe qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë, thonë se një shumë prej 100 eurosh për një shpenzim të papritur nuk arrijnë ta mbulojnë, për shkak se të ardhurat e tyre në ekonomitë familjare janë të ulëta.

Shkëndije Bytyqi, 33-vjeçare nga Prishtina, thotë se në familjen e saj me gjashtë anëtarë, të gjithë janë të punësuar. Por, një shpenzim i papritur prej 100 eurosh, ajo thotë se nuk arrin ta mbulojë me mjete vetanake dhe duhet të kërkojë mbështetje nga familja.

“Duke marrë parasysh që rrogat në Kosovë nuk janë shumë të larta, nuk mund të mbulojmë të gjitha shpenzimet. Mund të mbulojmë disa shpenzime mesatare apo disa shpenzime kryesore. Kursime, vështirë se mund të ndash. Nëse rastësisht kishte dalë një shpenzim prej 100 eurosh i papritur, kërkoj mbështetjen te familjarët e afërt. Kjo është zgjidhje e vetme tek unë personalisht”, thotë Bytyqi.

Paga mesatare neto te shumica e punonjësve në Kosovë, sipas të dhënave të ASK-së, është mes 400 deri 500 euro në muaj.

Valmir Feka, qytetar i punësuar në një kompani private në Prishtinë, thotë se një shpenzim të papritur prej 100 eurosh në aspektin personal, nuk do të mund ta mbulonte pa kërkuar ndihmë.

“Në aspektin personal e kam të vështirë ta mbulojë për shkak të pagës së vogël, ndërkaq sa i përket familjes, jemi katër të punësuar dhe secili ka rrogën 400- 500 euro, nuk do të ishte problem”, thotë ai.

Ai thotë se zgjidhje do të bënte te familja, shoqëria apo kolegët e punës. Ngjashëm shprehet edhe Ardit Fetahu, i cili jeton në një familje tre anëtarëshe.

“Personalisht, për neve 100 euro nuk është problem, por nëse kishte me qenë ndonjë shumë më e madhe, kishte me qenë problem”, thotë ai.

Kosova, vend i varfër

Kosova mbetet shteti më i varfër në rajon, duke luftuar me nivele të larta të varfërisë dhe papunësisë masive.

Në Raportin e fundit të Progresit për Kosovën të Komisionit Evropian, vlerësohet se 18 për qind e popullsisë jeton nën vijën e varfërisë, me 45 euro në muaj dhe 5.1 për qind e popullsisë nën vijën e varfërisë ekstreme, me nën 1.90 dollarë amerikanë në ditë.

Visar Ymeri, drejtor ekzekutiv i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari”, thotë se punëtori në Kosovë aktualisht arrin me pagën që merr në rastin më të mirë të sigurojë mbijetesën, por asnjëherë jetesën.

Kjo gjendje sipas tij, vjen nga mungesa e zhvillimit ekonomik, e cila krijon papunësi dhe rrjedhimisht pabarazi.

“Është edhe mungesa e një mbikëqyrjeje më të mirë të kushteve të punës për punëtorët, në veçanti për ata në sektorin privat. Edhe ata që janë të punësuar në Kosovë, në veçanti ata në sektorin privat, pagat i kanë të ulëta, kushtet e punës i kanë të vështira edhe rrjedhimisht me pagat e tyre nuk arrijnë të ndajnë para për shpenzimet e papritura edhe shpenzimet e tjera”, thotë Ymeri.

Si reagim urgjent, shton Ymeri, do të ishte një shpërndarje më e barabartë e pasurisë në formën e ndihmave sociale që duhet t’iu jepet familjeve veçanërisht në këtë situatë të pandemisë, por që edhe kjo nuk mjafton dhe nuk do të duhej të shihet si rruga që e ndjek Kosova në afatmesëm dhe afatgjatë.

“Rruga më e mirë që duhet të ndiqet është që të krijohen mekanizma ligjorë dhe institucionalë që e mbikëqyrin zbatimin e drejtë të kushteve të punës e veçanërisht te pagat e punëtorëve. Rritja e pagës minimale është urgjente”, thotë Ymeri.

Paga minimale të rishikohet

Lëvizja Vetëvendosje, e cila tani është në pushtet, në programin e saj kishte planifikuar që pagën minimale ta rrisë në 250 euro dhe kjo pagë të përjashtohet nga tatimi në të ardhurat personale.

Kjo ende nuk është vënë në diskutim nga Qeveria e re.

Por, një pagë minimale sipas Ymerit, do të duhej të indeksohej me rritjen e vëllimit dhe efiçencës ekonomike në Kosovë.

“Nuk e di a mjafton paga minimale 250 euro. Paga minimale duhet të bazohet në mesataren e pagave në Republikën e Kosovës dhe po ashtu në shportën e konsumatorit dhe ajo duhet të indeksohet me minimumin jetik”, thotë ai.

Paga minimale në Kosovë që nga viti 2011, ka mbetur e pandryshuar.

Paga minimale është 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç.

Pagat e ulëta në Kosovë, i pamundësojnë edhe familjes së Ekrem Marevcit mbulimin e një shpenzimi të papritur prej 100 eurosh.

Për një shpenzim të tillë, ai thotë se duhet të kërkohet ndihma e ndonjë familjari.

“Nuk mundesh t’i mbulosh. Nëse sëmuresh dhe duhet të shkosh në spital, t’i nuk mundesh as me 100 euro t’i mbulosh shpenzimet, nuk të dalin as 500 euro çka ki nevojë me ble. Nuk arrin me pagat e ulëta, ta mbulosh një shpenzim të tillë”, thotë ai./REL