Komitetit për Koordinim dhe Vlerësim të Situatës me COVID-19, në Kosovë në mbledhjen e kësaj të enjte ka vendosur se nëse do të ketë rritje të rasteve të reja me Covid do të merren masa të tjera kufizuese.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj tha se nëse rritet edhe më tej numri i rasteve të infektuara, do të ashpërsohen masat mbrojtëse ndaj këtij virusi, si dhe do të vendosen kufizime të lëvizjes.

“Do të vlerësohen edhe më tej masat dhe aktivitetet për të parandaluar infeksionin. Nëse kemi rrezikshmëri dhe rritje të numrit të rasteve, masat do të jenë më rigoroze, do të ketë edhe kufizim të lëvizjes dhe aktiviteteve tjera. Duhet të vazhdojë ndalesa për të gjitha takimet që konsiderohen shpërndarëse të infeksionit. Aktivitetet duhet të jenë të organizuara sipas manualit për pandeminë. Institucionet publike dhe ato private duhet të funksionojnë duke iu përmbajtur strikt manualit”, ka theksuar ai.