Përgjatë procesit të verifikimit të votave të ardhura nga Serbia, disa zyrtarë kosovarë kanë pësuar alergji në fytyrë dhe duar, ku sipas raportimeve të mediave në Kosovë, zarfet kundërmonin erë.

Vëzhguesi i organizatës GERMIN, Shpëtim Shujaku i ka thënë KosovaPress-it, se 26 zyrtarët e KQZ-së, në momentin që kanë hapur zarfet, kanë përjetuar reaksione, disa kanë patur skuqje duarsh, kruarje dhe disa shenja përrreth syve.

Vetë ai personalisht nuk ka patur shqetësime, pasi ka qenë vetëm si vëzhgues.

Në momentin që janë hapur këto zarfe kanë patur një erë shumë të rëndë dhe kanë kundërmuar. Pastaj me vazhdimin e procesit kur janë hapur, disa prej zyrtarëve të KQZ-së që kanë patur kontakt fizik me këto zarfe; kanë filluar të kenë reaksione, disa kanë patur skuqje duarsh, kruarje dhe disa shenja përrreth syve. Pastaj është marrë vendimi nga zyrtari kryesor Besnik Buzhala që procesi të pezullohet për një kohë të pacaktuar, derisa të bëhet verifikimi i pakove nga Forenzika”, tha ai.

“Unë personalisht nuk kam patur problem me to, por 6 prej punëtorëve që kanë qenë këtu, pas udhëzimit që kanë marrë në qendrën e mjekësisë familjare, janë dërguar drejt e në infektiv. Kurse pjesa tjetër e punëtorëve që kemi qenë këtu jemi duke u kontrolluar te ambulanca emergjente që ka ardhur në vend”, tha ai duke shtuar se përveç 26 zyrtarëve, aty kanë qenë edhe rreth 10 persona të tjerë.