Mesnatën e së shtunën u sulmua me breshëri armësh makina e gazetarit nga Kosova, Shkumbin Kajtazi. Një ngjarje e rëndë që ai e denoncoi dje vet dhe hidhte dyshimet se sulmi kishte ndodhur për shkak të detyrës.

Pikërisht për këtë ngjarje ka reaguar dhe Policia e Kosovës, e cila ka dhënë informacionin zyrtar se çfarë ka ndodhur.

“Rr. Evlia Qelebi, Mitrovicë 18.10.2020-02:03. Ankuesi mashkull kosovar ka njoftuar se persona të panjohur i kanë dëmtuar veturën e tij e cila ka qenë e parkuar. Njësiti policor në vendngjarje ka gjet dhe konfiskuar 4 predha të kalibrit 9 mm”, njofton policia.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori.

“Miq,

Mbrëmë u përballa me një sulm të rrezikshëm: vetura ime u qëllua me 5 ose 6 plumba.

Ngjarja ka ndodhur rreth mesnatës, kur vetura ishte e parkuar në qendër të Mitrovicës.

Unë isha afër dhe kam dëgjuar krisma arme, por si njeri naiv që beson se Kosova është vend normal, nuk e kam lejuar mendjen të më thotë se mund të jetë sulm i tillë. Isha gabim.

Kur u afrova tek vendi ku e kisha parkuar, pashë se vetura ishte dëmtuar në masë të madhe. Në fillim pata bindjen se ishte goditur me diçka të fortë, mirëpo më pas u vërejten gjithandej vrima dhe predha të plumbave: në ulësen e shoferit, në tavan e në pjesën e prapme.

Edhe në Polici deklarova se rasti lidhet me punën, pasi problem personal me dikë nuk kam pasur që nga shkolla e mesme.

Rasti është në Polici dhe shpejt do ta marrin në dorë hetuesit e krimeve të rënda. Zbardhja e tij duhet të bëhet shpejt, ose rrezikon të mbetet zhag si i mëparshmi.

Nuk ndihem i frikësuar, që është qëllim i personave që më vihen pas. Jam thjesht i dëshpëruar me shtetin tim dhe njerëzit e tij.”, shkruante dje Kajtazi në Facebook.