Të dhënat momentale të KQZ-së, tregojnë se deri më tani janë numëruar 95,88% të votave, apo 2442 vendvotime nga 2547 sa kanë qenë gjithsej. Rezultati i fundit tregon se Lëvizja Vetëvendosje është e para me një rezultat 25,79%, 197,966 vota. Pas saj vjen Lidhja Demokratike e Kosovës me 25,05%, apo 192,300 vota.

Partia Dermokratike e Kosovës renditet e treta me 21,15%, apo me 162,342 vota. Në vendin e katërt renditet Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Partia Social Demokrate me 11,63%, apo me 89,287 vota. Kujtojmë që mbrëmë Lëvizja Vetëvendosje ka festuar fitoren e saj në sheshon ‘Skënderbeu’ Prishtinë. Lideri i saj Albin Kurti ka thënë se tashmë do t`i nis bisedimet me Lidhjen Demokratike për formimin e Qeverisë. “Do ta kemi qeverinë sa më parë”, tha Kurti.

Kandidatja e LDK-së për kryeministre Vjosa Osmani në një konferencë për media, ka falënderuar qytetarët për zgjedhjet e qeta dhe të rregullta. Ajo tha se do të presin numërimin e votave të mërgatës dhe votave me kusht për të ditur fituesin e zgjedhjeve të sotme të parakohshme parlamentare.

“Sonte nuk mund të shpallet fituesi”, tha ajo në një konferencë për media. Ndërkohë po mbrëmë, Kadri Veseli e ka pranuar se Partia e tij do të mbetet në Opozitë, për herë të parë pas 12 vitesh në qeverisje.

“Së bashku me PDK kemi punuar shumë që t’i fitojmë këto zgjedhje por nuk fituam.Qytetarët kanë dhënë verdiktin e tyre dhe ne e pranojmë. PDK do të kalojë në opozitë por ne do të vazhdojmë t’i shërbejmë kombit dhe shtetit”, tha ai në një konferencë për media. Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas përfundimit të procesit të sotëm zgjedhor, në të cilat koalicioni i përbërë nga partia e tij, AAK dhe PSD-ja, sipas rezultateve ende jo përfundimtare është radhitur e katërta, me rreth 11 për qind të votave.

Haradinaj ka përgëzuar qytetarët për nivelin e lartë të pjekurisë politike dhe demokratike, ndërsa ka falënderuar institucionet për organizimin e zgjedhjeve dhe mbarëvajtjen e tyre.