Presidenti i Kosoves, Hashim Thaçi është solidarizuar me Kroacinë, pas tërmetit të fuqishëm që goditi Zagrebin mëngjesin e sotëm.

Përmes një postimi në Facebook, Thaçi ka thënë se Forcat e Sigurisë së Kosovës janë të gatshme të ofrojnë ndihmë emergjente për Kroacinë.

“Në këtë kohë kur e gjithë bota po përballet me virusin COVID-19, tërmetet si ky i sotmi në Kroaci e rëndojnë edhe më shumë gjendjen. Shteti i Kroacisë uroj ta ketë kaluar me pasoja sa më të vogla këtë tërmet që goditi Zagrebin. Si President i Republikës së Kosovës shpreh solidaritetin e plotë të popullit tonë me popullin mik kroat. Kurse, të lënduarve nga shembjet e shkaktuara prej tërmetit iu uroj shërim sa më të shpejtë”, ka shkruar Thaçi.