Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mirëpritur rezultatin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në zgjedhjet parlamentare serbe.

Përmes një postimi në Facebook, Thaçi thotë se bashkimi i shqiptarëve në Luginë të Preshevës e ka dhënë rezultatin e tij.

“Bashkimi i shqiptarëve në Luginën e Preshevës e dha rezultatin e tij. Ata tashmë do të kenë më shumë deputetë që do ta ngrehin zërin për të drejtat e shqiptarëve atje. Bashkërendimi i veprimeve politike jep gjithmonë rezultate dhe Alternativa Demokratike Shqiptare është shembull i mirë për t’u ndjekur nga bashkëkombësit tanë kudo që jetojnë.”, shkruan Thaçi.

Për herë të parë, partitë shqiptare dolën me një listë të përbashkët dhe falë kësaj, rezultatet tashmë janë shumë më të mira se që kanë qenë në të kaluarën.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës, tashmë do të kenë katër përfaqësues në Parlamentin e Serbisë.