Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kritikuar Bashkimin Evropian në lidhje me Strategjinë e re të zgjerimit, duke vlerësuar se ajo ka dështuar që ta adresojë qartë perspektivën integruese të Kosovës në BE.

Në një shkrim në profilin e tij në rrjetin social, Facebook, Thaçi ka shkruar se “Kjo qasje jo e drejtë ndaj Kosovës është pasojë e mosnjohjes nga pesë shtete anëtare të BE-së, respektivisht e paaftësisë së BE-së për një qëndrim unik për Kosovën. Por, Kosova nuk do të zhytet në dëshpërim”, ka shkruar ai.

Thaçi i ka bërë thirrje edhe Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës që me urgjencë të tejkalojë gjendjen e izolimit, duke ratifikuar Marrëveshjen për vijën kufitare me Malin e Zi, e cila, sipas tij, do të sillte heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës./REL