Sot në Nju Jork do të mbahet mbledhja e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku do të diskutohet krijimi i Ushtrisë së Kosovës.

Vetë Kosova në këtë takim do të përfaqësohet nga Presidenti Hashim Thaçi, i cili para nisjes për në Nju Jork tha se pavarësisht diskutimeve në Këshillin e Sigurimit, krijimi i ushtrisë është një proces i pakthyeshëm.

Pas votimit nga Parlamenti i Kosovës për shndërrimin e Forcës së Armatosur të Kosovës në ushtri të rregullt, më 14 dhjetor, Misioni i Përhershëm i Serbisë pranë OKB-së i dërgoi një letër Presidentit të Këshillit të Sigurimit. Përmbajtja e letrës nuk është bërë e ditur për publikun, por mësohet jozyrtarisht që ka të bëjë me atë që Serbia e quan “shkelje të rezolutës” në pjesët e saj që kanë lidhje me sigurinë.

Këshilli i Sigurimit e ka vendosur diskutimin pasdite, në një nga pjesët e programit që Këshilli e ka përcaktuar për të diskutuar tema të ndryshme. Presidencën e radhës këtë muaj e mban Bregu i Fildishtë. Përveç pesë anëtarëve të përhershëm që janë Kina, Rusia, SHBA, Franca dhe Anglia, Këshilli i Sigurimit ka aktualisht edhe dhjetë anëtarë të përkohshëm që janë Bregu i Fildishtë, Guinea Ekuadoriale, Etiopia, Kazakistani, Holanda, Polonia, Bolivia, Peruja, Kuvajti dhe Suedia.

Për herë të fundit, Këshilli i Sigurimit diskutoi për Kosovën më 14 nëntor, kur shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin raportoi për zhvillimet e fundit në vend dhe ministri i Jashtëm serb, Ivica Dacic kërkoi vazhdimin e misionit të UNMIK-ut. Rusia bëri të njëjtën gjë, ndërkohë që SHBA dhe anëtarët e Këshillit që janë vende të BE kërkuan që raportimet të bëhen më rrallë në ritëm kohor.