Vendet e Quint-it bëjnë thirrje për rifillimin e bisedimeve Kosovë-Serbi

13/08/2019 - 18:55

Në Prishtinë, ambasadat e pesë vendeve kryesore perëndimore, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, u bënë thirrje Kosovës e Serbisë që të rifillojnë menjëherë bisedimet e udhëhequra nga Bashkimi Evropian dhe të shmangin çdo veprim, që pengon marrëveshjen përfundimtare.

“Prandaj, i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që menjëherë të rifillojnë dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe kërkojmë nga të dy palët të shmangin veprime që do të pengonin një marrëveshje përfundimtare, e cila është e nevojshme për të dy vendet për të arritur integrim më të madh euro-atlantik dhe përfitimet përcjellëse” - deklaruan ata.

Në një komunikatë të përbashkët të lëshuar të martën, thuhet se “ne jemi të gatshëm të forcojmë rolin tonë në këtë proces në përkrahje të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, por mund ta bëjmë një gjë të tillë vetëm kur ju të jepni shenja të gatishmërisë për kompromis, për heqjen e pengesave dhe rifillimin e bisedimeve. Për Kosovën, kjo nënkupton heqjen e taksave të vendosura ndaj Serbisë. Për Serbinë, kjo nënkupton ndërprerjen e fushatës për heqjen e njohjeve kundër Kosovës”.

Në komunikatë theksohet se vendet e Quint-it “janë të bashkuara në qëllimin për të parë normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, politikisht të qëndrueshme dhe ligjërisht detyruese që i kontribuon stabilitetit rajonal. Status quo pengon përparimin e Kosovës dhe Serbisë në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian dhe thjesht nuk është e qëndrueshme. Pas viteve të tëra të ngecjes ka ardhur koha që më në fund të përmbyllen konfliktet e viteve të 90-ta dhe të ofrohet një e ardhme e sigurtë dhe e begatshme për qytetarët e Kosovës dhe të Serbisë duke negociuar në mirëbesim një marrëveshje që mund ta mbështesin të dy palët”, thuhet në komunikatë duke nënvizuar se janë të gatshëm të ndihmojnë të dyja palët në çfarëdo mënyre.

Aktualisht procesi i bisedimeve ndërmjet Kosovës e Serbisë mbetet i pezulluar për shkak se Beogradi kushtëzon vazhdimin e tyre me heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe që qeveria e Kosovës i vendosi në nëntor të vitit të kaluar.

Mos pezullimi i tarifave çoi edhe në përplasje te partitë politike të koalicionit qeverisës.

Aktualisht Kosova po përgatitet për të hyrë në zgjedhje të parakohshme parlamentare pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj më 19 korrik, pasi u thirr për t'u marrë në pyetje nga Prokuroria e Posaçme me seli në Hagë.

Kryesia e Parlamentit të Kosovës ka vendosur që 22 gushti të jetë datë që pritet të shpërndahet parlamenti i Kosovës, që do t’i hap rrugë shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, që duhet të mbahen më së largu 45 ditë pas shpalljes së tyre.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Në një konferencë për mediat pas mbledhjes së qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj ka shuar edhe dyshimet se partia e AAK-sl dhe Lëvizja

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa pas mbledhjes së mbajtur me Kryesinë e partisë së tij, para medieve tha se mbesin të

Marrëveshja e arritur sa i takon linjës ajrore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka sjellë reagimin edhe të Këshillit Kombëtar për Sigurinë t

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Edi Rama ka qenë i angazhuar në projektin e ndarjes së Kosovës.

Diplomatët amerikanë ndërmjetësuan të hënën nënshkrimin e një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë për rihapjen e linjës ajrore Prisht

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka dekretuar Albin Kurtin për Kryeministër të qeverisë.

Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Albin Kurtin si kandidat për Kryeministër në Qeverinë e re të vendit.

Më 26 dhjetor është konstituuar Kuvendi i Kosovës dhe për kryetar të këtij institucioni është zgjedhur Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëven

Lirohet Milan Vushkanoviç, punonjësi i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, i cili ishte ndaluar nga Policia e Serbisë në pikën kufitare të Jar

Mungesa e arritjes së një marrëveshjeje për koalicionin e ardhshëm qeverisës ndërmjet dy partive, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokra