Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi ka fituar komunën e Podujevës, një prej bastioneve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Bulliqi ka fituar me 51.64% të votave duke shmangur kështu balotazhin.

Nënkryetari i LDK-së dhe kryetari i Podujevës për disa mandate, Agim Veliu, ka thënë se partia e tij i ka humbur zgjedhjet.

“Ne i kemi humbur këto zgjedhje, ky është vendimi i sovranit”, ka thënë Veliu.

Bulliqi është një ish-anëtar i LDK-së që la partinë e Isa Mustafës për t’iu bashkuar Vetëvendosjes. Ai ka mbajtur më parë postin e drejtorit të arsimit në Podujevë, ndërkohë që ka qenë edhe deputet nga listat e LDK.

Në zgjedhjet e fundit ai fitoi si deputet në lsitën zgjedhore të VV-së, ndërsa vendi i tij në Kuvend pritet të zëvendësohet.

Zgjedhjet e parakohshme në këtë komunë janë mbajtur për shkak se kryetari paraprak Agim Veliu la pozitën për tu bërë ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës.

Ndërkohë sot është votuar edhe në Mitrovicë të Veriut ku ka fituar kandidati i Listës Serbe.