Një person është gjetur i vdekur në Qendrën e Paraburgimit në Pejë. Lajmi është konfirmuar dhe nga zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikqi.

Ai ka thënë për ‘lajmi.net’ se personi në fjalë Binak Gjergjaj, dyshohet se është vetëvarur. Për të njëjtin person, kishte pasur kërkesë për ekstradim nga SHBA-ja.

“Në qendrën e paraburgimit në Pejë, një i paraburgosur dyshohet se është vetvarur. Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obdukim. Viktima ka qenë nën masën e paraburgimit, lidhur me kërkesën për ekstradim në SHBA”, ka thënë ai.

Mësohet se Policia e Kosovës po e cilëson këtë rast si vdekje të dyshimtë, teksa rasti është raportuar sot pas orës 07:00 të mëngjesit. Raportohet se ka vrarë veten shtetasi Binak Gjergjaj, i cili ishte në kërkim nga SHBA-ja, pasi akuzohet për vrasjen e gruas së tij, Afërdita Gjergjajt, në vitin 2001.