Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa do të takohet me kreun e Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti. Sipas Gazetës Express brenda PSD-së, konfirmojnë se takimi mes dy krerëve të partive do të mbahet në orën 11:00.

“Po, kryetari i LDK-së na ka ftuar për një takim”, kanë pohuar brenda PSD-së, pa treguar detaje se cila është arsyeja e kësaj ftese.

Ndërsa mediat në Kosovë raportojnë se edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, do të jenë pjesë e këtij takimi.

Ditën e djeshme, është raportuar se sot do të nënshkruhet një koalicion mes partisë së Ahmetit dhe kryeministrit Haradinaj. Ky koalicion pritet të formalizohet me datën 21 gusht, një ditë para shpërbërjes së Kuvendit.

Më parë, Mustafa është takuar edhe me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, të cilët shprehën nevojën për një qeverisje të re.