Trupi i pajetë i një burri nga Shqipëria është gjetur në autostradën "Ibrahim Rugova" në afërsi të Prizrenit.

Lajmi është konfirmuar nga policia e Kosovës. Sipas tyre, trupi i pajetë, është gjetur në një makinë me targa të Shqipërisë.

Ka qenë një patrullë policore që rreth orës 19:15 të ditës së djeshme ka gjetur trupin e pajetë brenda një makine në autostradën "Ibrahim Rugova".

Policia përmes raportit 24 orësh konfirmon se burri i vdekur është qytetar i Shqipërisë.

Edhe makina në të cilën ai është gjetur i vdekur ka qenë me targa të Shqipërisë.

"Rastin jemi duke e trajtuar si vdekje të dyshimtë", ka thënë zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaban Osmanollaj.

Në vendin e ngjarjes ka dalë prokurori dhe ekipi i Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës dërgohet në IML për autopsi, thuhet në raport.