Policia e Tiranës ka vënë në pranga ish-futbollistin e Kombëtares shqiptare, Klodian Duro. Ai është arrestuar në flagrancë mesnatën e datës 25 mars pasi ka shkuar në banesën e ish-bashkëshortes duke thyer urdhrin e mbrojtjes që gjykata kishte lëshuar në favor të saj.

Duro u arrestua me akuzën e përndjekjes dhe kanosjes ndaj ish-bashkëshortes, me të cilën ishte divorcuar një vit më parë. Mësohet se ajo banonte në zonën e “Bllokut” dhe kishte urdhër mbrojteje që nga momenti i divorcit. Ish-bashkëshortja e ka denoncuar vazhdimisht Duron për dhunë fizike e psikologjike si dhe kanosje e përndjekje përmes SMS-ve.

Dy ditë më parë, Duro ka shkuar në shtëpinë e ish-gruas duke i rënë derës, ndërsa ajo ka njoftuar menjëherë policinë. Menjëherë efektivët kanë mbërritur duke e arrestuar në flagrancë. Duro është shprehur se ka qenë aty thjesht për ta takuar.