Policia në Gramsh ka vënë në pranga tre persona dhe sekuestruar rreth 13 kg lëndë narkotike kanabis dhe automjetet me të cilat udhëtonin.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Gramsh, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të kuduar “Kodovjat”, në kuadër të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit: V. P., 31 vjeç; N. B., 44 vjeç dhe Xh. K., 29 vjeç, lindur në Gramsh.

Arrestimi i tyre u bë pasi në aksin rrugor Gramsh-Kodovjat, shërbimet e Policisë gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Opel” kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike cannabis sativa.

Në vijim të operacionit, specialistët për Hetimin e Narkotikëve kanë bërë të mundur gjetjen edhe të sasisë tjetër të lëndës narkotike, të fshehur nga këta persona në aksin rrugor Gramsh-Kodovjat, ku në total u gjetën dhe u sekuestruan rreth 13 kg lëndë narkotike kanabis dhe dy automjete.

Policia vijon punën për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë që janë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.