Policia italiane e Castel Volturnos ka arrestuar më datë 28 shkurt 2018 shqiptarin Gentian Nezaj, 38 vjeç, i shpallur prej më shumë se një viti në kërkim ndërkombëtar nga Gjykata e Apelit të Tiranës, për veprën penale të “prodhimit e trafikimit të lëndës narkotike” si dhe për evazion fiskal.

Mediet italiane raportojnë se Gentian Nezaj e kushëriri i tij Edmond Nezaj janë arrestuar nga policia shqiptare më datë 22 tetor 2016 në “Urën e Institutit” Kamëz teksa udhëtonin me një automjet tip “Mercedes Benz” ku u gjetën rreth 30.4 kg hashash. Më datë 24 nëntor 2016 ndaj tyre është dhënë masa e arrestimit me burg, e cila,  pas një vendimi të dytë gjyqësor është shndërruar në arrest shtëpiak.

Pas ankimimit më datë 15 dhjetor 2016, Gjykata e Apelit të Tiranës ka vendosur rikthimin e kushërinjve në burg, por të dy ata kishin thyer masën e arrestit shtëpiak duke u shpallur persona në kërkim nga drejtësia shqiptare.

Edmond Nezaj, pak ditë pas shpalljes në kërkim u arrestua më datë 18 dhjetor 2016 ndërsa po tentonte të kalonte kufirin drejt Maqedonisë. Ndërsa Gentian Nezaj u arrestua në Itali pas 14 muajsh kërkim.