2 raste krime kundër personit raportohen të kenë ndodhur në qarkun Durrës gjatë të dielës apo mëngjesin e së hënës.

Data ekzakte nuk dihet, pasi policia e Shtetit i ka publikuar në raportin ditor të datës 14 janar, ku përfshihen ngjarje të të dielës dhe të orëve të para të së hënës.

“Në fushën e krimeve kundër personit, janë evidentuar 5 raste, konkretisht: 1 rast i “Vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare” në qarkun Tiranë, ku mbetën të vrarë tre shtetas; 2 raste të “Plagosjes së lehtë me dashje” në qarkun Durrës; 2 raste në qarkun Korçë (“Dëmtime të tjera me dashje” dhe “Plagosje e lehtë me dashje)”, thuhet ndër të tjera në raportin ditor.

Për mediat nuk jepen detaje të tjera, as rrethanat si ka ndodhur krimi, as se ku ka ndodhur ekzaktëisht, as se kush janë të plagosurit, as se kush janë autorët dhe nëse ka nisur procedim penal për ata apo jo.

Nëse policia do të japë detaje për ngjarjet vetëm kur ndodhin krime të forta si ajo e mëngjesit të së hënës kur në Tiranë mbetën të vrarë tre persona, apo si plagosja e rëndë në Vlorë, pasditen e së hënës ku një 41-vjeçar u tentua të ekzekutohej me breshëri plumbash, komunikata e policisë do kthehet në nekrologji, ku pasqyrohen vetëm viktimat e krimeve me armë zjarri.