Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Firences në Itali, ku një shqiptar është goditur disa herë me thikë nga një tjetër shqiptar, për arsye deri më tani të pazbuluara ende.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën Scopino në Firence. Sulmuesi e ka goditur me thikë emigrantin shqiptar disa herë në pjesën e shpinës dhe njëra prej goditjeve i ka çarë mushkërinë.

Një tjetër goditje e thikës i ka shkuar fare pranë zemrës së shqiptarit, i cili aktualisht ndodhet i shtruar në spital, në gjëndje kritike për jetën.

Sulmuesi është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, ndërsa policia ka mundur ta arrestojë pak më vonë, raportojnë mediet italiane.

Sipas të njëjtave burime, bëhet fjalë për një shqiptar 21-vjeçar. 

Ndërkohë, i plagosuri, emri i të cilit ende nuk është bërë i ditur, ka arritur që me këmbët e veta t’i afrohet një karburanti aty pranë për të kërkuar ndihmën e personave dhe për të thirrur ambulancën.