Një 28-vjeçar shqiptar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, u gjet të martën i vdekur në dhomën e tij në një qendër emigrantësh në Gradisca d’Isonzo (Gorizia) të Italisë.

“ANSA” shkruan se shqiptari qëndronte bashkë me një maroken në dhomë, i cili është gjetur në gjendje të rëndë shëndetësore, por jashtë rrezikut për jetën.

Shkaqet e vdekjes së shqiptarit, apo dhe gjendjes së rëndë shëndetësore të marokenit nuk dihen ende, ndërsa prokuroria e Gorizia-s ka nisur hetimet për ngarjen.

Shqiptari ndodhej në këtë qendër i karantinuar për shkak të koronavirusit dhe vdekja e tij solli revoltë. Disa persona në shenjë proteste i vunë flakën dyshekëve dhe ambienteve të tjera por situata u normalizua pas ndërhyrjes së autoriteteve.