Një 31-vjeçar shqiptar është rrëmbyer teksa priste në stacionin e autobusit. Për këtë ngjarje policia greke ka arrestuar katër persona të moshave 19, 41, 49, si dhe 35 vjeç, me origjinë shqiptare gjithashtu.

Mësohet se autorët rrëmbyen të riun dhe e mbanin peng në një shtëpi në Nemea, ku e lidhën dhe e kërcënuan se do t'i duhej të  paguante 10,000 euro që pengmarrësit ta lironin. “Po e do kokën, gjeji paratë”, i ishin drejtuar ata.

31-vjeçari i rrëmbyer ishte zhdukur prej 20 ditësh dhe të afërmit e tij që jetonin në Shqipëri të alarmuar rreth fatit të tij kishin bërë denoncim në polici.

 Policia arriti të lokalizojë shtëpinë dhe, pas një operacioni të koordinuar, liruan 31-vjeçarin, duke arrestuar të katër autorët e dyshuar, të cilët janë vënë nën akuzë dhe po hetohen nga Prokuroria.