Një 34-vjeçar në Vlorë, i cili u gjet i vdekur mëngjesin e sotëm në lagjen “Kushtrimi”, rezulton të jetë vrarë me armë zjarri.

Policia e Vlorës deklaron zyrtarisht se viktima me iniciale K.D. ka një plagë në pjesën e pasme të shpatullës të shkaktuar nga arma e zjarrit.

34-vjeçari punonte në një firmë këpucësh në qytetin bregdetar dhe nuk është person me precedent penal.

Mëngjesin e kësaj të mërkure u raportua paraprakisht nga policia se viktima dyshohet të ketë humbur jetën si pasojë e atakut kardiak dhe nuk kishte shenja dhune në trup.

Por ekspertiza mjeko-ligjore ka konstatuar shenjë plumbi në shpatull. Shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes janë të paqarta. Grupi hetimor është duke punuar për të zbardhur këtë krim.

Njoftimi i Policisë së Vlorës:

Në lidhje me ngjarjen ku në orët e para të mëngjesit të sotëm u gjet një person i pajetë në afërsi të banesës së tij në lagjen “Kushtrimi”, ku nga veprimet paraprake rezultoi pa shenja dhune, ju informojmë se:

Pas hetimeve të mëtejshme, nga ekspertiza e plotë mjeko-ligjore, në trupin e 34 vjeçarit K.D, konkretisht në pjesën e pasme të shpatullës është konstatuar një plagë e cila dyshohet të jetë shkaktuar nga armë zjarri.

34-vjeçari punonte në një firmë këpucësh në qytetin e Vlorës dhe nga ana e Policisë nuk njihet si person me precedent penal. Në Policinë e Vlorës është ngritur një grup i posaçëm hetimor me qëllim dokumentimin dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes. Vijojnë hetimet e mëtejshme në bashkëpunim me Prokurorinë për sqarimin e rrethanave dhe vendosjen para përgjegjësisë penale të autorit/ve.