Një 45-vjeçare nga fshati “Poshnje” në Urë Vajgurore ka rënë nga ballkoni i katit të dytë dhe është gjetur e shtirë pa ndjenja në oborrin e banesës së saj private mesditën e sotme.

Kanë qenë fqinjët ata që kanë parë 45-vjeçaren Zamira Xhaxhaj të rrëzohej dhe i kanë dhënë ndihmën e parë si dhe kanë njoftuar policinë, e më pas është transportuar në Spitalin Rajonal të Beratit, ku gjendja e saj paraqitet e rëndë.

Burime të Spitalit Rajonal të Beratit bëjnë me dije se gruaja ka pësuar dëmtime në shtyllën kurrizore dhe po trajtohet intensivisht.

Ende nuk bëhen zyrtarisht të ditura nga policia shkaqet dhe rrethanat e kësaj ngjarjeje, ashtu sikurse nuk konfirmohet as fakti nëse gruaja është hedhur vetë apo ka rënë aksidentalisht apo nëse e kanë shtyrë nga ballkoni.

45-vjeçarja Zamira Xhaxhaj jetonte vetëm me dy fëmijët e saj, 13 dhe 10 vjeç në një banesë në ndërtim e sipër në kodrën e fshatit Poshnje. Bashkëshorti i saj, Ardian Xhaxhaj mësohet se ka emigruar prej disa muajsh jashtë vendit.

Në vendngjarje kanë shkuar inspektorë të policisë, të cilët po marrin më pyetje të gjithë ata banorë të fshatit, që kanë dijeni rreth ngjarjes.