Një ditë pas shpërthimit të bombolës së gazit në një argjendari në zonën e ish-Bllokut, ku u plagosën 5 persona mes tyre dhe pronarët Sokol dhe Alma Pirra, të cilët ndodhen në reanimacion në gjendje të rëndë, Inspektoriati Shtetëror Teknik dhe Industrial ka përshkruar të gjithë dinamikën e ngjarjes. 

Sipas Inspektoriatit, nga kqyrja e vendit të ngjarjes, rezulton se biznesi i argjendarisë zhvillonte aktivitet edhe në katin përdhe (bodrum) të një godine disa katëshe.

Nga bodrumi nga punonjësit e zjarrfikseve u nxorrën dy bombola 1(një) bombol GLN-je me kapacitet 15 kg metalike dhe 1(një) bombol oksigjeni me kapacitet afërsisht 20 litra.

Nga inspektimi në vendngjarje rezultoi se:

Bombola e GLN-es me kapacitet 15 kg kishte të montuar në ventilin e saj një reduktor presioni me dy manometra, një manometër bënte matjen e presionit në dalje të bombolës GLN-es ndërsa tjetri maste presionin pas reduktorit, pra presionin e punës. Rregullimi i presionit bëhej nëpermjet një ventili. Nga rregullatori dilte një nipel e cila nëpërmjet një tubi gome duhet të ketë qenë lidhur me pajisjen e saldimit (apo të shkrirjes). Bombola e GLN-es ishte pa dëmtime të jashtme, pra pa deformime dhe pa çarje. Manometrat ishin të dëmtuar nga djegia si dhe xhamat mbrojtës ishin të thyer. Boja e bombolës GLN-es ishte dëmtuar nga djegia.

Bombola e oksigjenit me kapacitet afersisht 20 litra kishte të montuar në ventilin e saj një reduktor presioni me dy manometra, një manometer bënte matjen e presionit në dalje të bombolës së oksigjenit ndërsa tjetri maste presionin pas reduktorit, pra presionin e punës. Rregullimi i presionit bëhej nëpërmjet një ventili. Nga rregullatori dilte një nipel e cila nëpërmjet një tubi gome duhet të ketë qenë lidhur me pajisjen e saldimit (kanello saldimi). Bombola e oksigjenit ishte pa dëmtime të jashtme, pra pa deformime dhe pa çarje. Manometrat ishin të dëmtuar nga djegia si dhe xhamat mbrojtës ishin të thyer. Boja e bombolës se oksigjenit ishte dëmtuar nga djegia.

Paisjet në biznesin e mësipërm ishin të dëmtuara si pasojë e eksplozionit.

Nisur nga ambienti, vendi i instalimit të bombolës, në katin nën tokë (bodrum), gjendja teknike e bombolës … etj, rezulton se rrjedhja e mundëshme e GLN-es dhe si pasojë eksplozioni, mund të ketë ardhur nga:

1-Rrjedhja e GLN-es nga instalimi i bombolës 15 Kg me pajisjen e saldimit (apo të shkrirjes) nëpërmjet tubit të gomës dhe krijimit të përzierjes eksploduese në kufijtë kritik. 

Sipas rregullit teknik përqindja në vëllim e fazës së gaztë të GLN-es me ajrin në të cilën krijohet përzierja eksploduese është 2 – 10 % si dhe duke patur parasysh që pesha specifike e GLN-es është më e rëndë se e ajrit, çka do të thotë se GLN-ja qëndron në kuotën më të ulët të ambientit në të cilin është instaluar bombola, krijimi i këtij ambienti eksplodues dhe nxitja nga një faktor i jashtëm si shkëndijë elektrike, çelësi elektrik apo kyçje – ç’kyçje e paisjeve elektrike, ose ndezja e një shkrepseje ( flake të lirë) nga përdoruesi, sjell eksplozionin.

2-Keqmontimi i bombolës së GLN-es me pajisjen e saldimit (apo të shkrirjes), shtrëngimi i rekorderive dhe i fashetave metalike për bashkimin e tubit të gomës me reduktorin e presionit.

3-Gjendja jo e mirë teknike e tubit të gomës, si plasaritje, si rrjedhojë e afatit të gjatë të përdorimit, të cilat nuk dallohen sepse tubi i gomës është djegur.

4-Gjendja teknike e pajisjes së saldimit (apo të shkrirjes).

5-Nga veprimi i gabuar i përdoruesit që mund të jetë : 

– lënia hapur e linjës së gazit, ventilit të pajisjes së saldimit (apo të shkrirjes) 
– përdorimi i mjeteve ndezëse shkrepëse apo cigare.

Mbi bazën e informacioneve të grumbulluara për momentin dhe nga kqyrja e dy bombolave papaprakisht rezulton se ngjarja ka ardhur si rezultat i një pakujdesie ose gabimi njerëzor.