Policia Kufitare në Qafë-Botë të Sarandës goditi një tjetër rast të trafikimit të lëndëve narkotike.

Gjatë kontrollit të detajuar në vijën e dytë të automjetit tip "Ford"  me drejtues  F.C, shërbimet  e Policisë Kufitare në bashkëpunim me ato doganore, si dhe duke përdorur qenin antidrogë, kanë konstatuar të fshehur në shasi të automjetit 57 kilogramë kanabis.

Në përfundim të veprimeve të para të kryera nga Specialistët për Hetimit e Narkotikëve në Komisariatin e Policisë Sarandë, u bë arrestimi në flagrancë i  drejtuesit të automjetit,  F. C, 48 vjeç, banues në Sarandë. Po ashtu u procedua  penalisht në gjendje të lirë bashkëshortja e tij, M.C, 50 vjeçe, e cila udhëtonte së bashku me burrin në automjetin ku u gjet lënda narkotike.

Policia thotë se materialet procedurale do t'i dërgohen Prokurorisë për veprën penale "Trafikimi i lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim".