Edhe pse avokatët e dy të arrestuarve për kokainën rekord në Durrës kishin ankimuar masën e sigurisë, Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda ka lënë në burg Armando Pezakun dhe Donaldo Lushajn.

Mbrojtja kërkonte lirimin e tyre me argumentin se nuk ka prova që implikojnë klientët e tyre në trafikun e narkotikëve.

Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi me 2 mars që shoferi Armando Pezaku dhe menaxheri Donald Lushaj do të qëndrojnë në burg deri në përfundim të hetimit për 613 kg kokainën e kapur më 27 shkurt në një kontenjer bananesh.

Armando Pezaku ishte shoferi i trailerit që transportonte ngarkesën me banane në të cilën u kap sasia rekord e drogës.

Ndërsa Donald Lushaj ishte menaxheri i firmës “Arbri Garden” në pronësi të Arbër Çekaj që kishte porositur ngarkesën nga Kolumbia, ky i fundit është shpallur në kërkim.