Vijojnë goditjet ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.

Finalizohet operacioni antidrogë, i koduar “Bridge”, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier.

Policia ka sekuestruar 8 kg cannabis sativa ndërsa ka vënë në pranga 2 shtetas.

NJOFTIMI I POLICISË

Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe pas informacioneve të marra në rrugë operative, Policia e Fierit zhvilloi operacionin antidrogë të koduar “Bridge”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:

G. D., 49 vjeç, banues në Roskovec.

E. V., 45 vjeç, banues në Kuçovë.

Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, në fshatin Kallm i Madh, Fier, gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Ford”, me drejtues shtetasin G. D. dhe pasagjer shtetasin E. V., në bagazhin e automjetit, shërbimet e Policisë kanë gjetur një sasi prej 8 kg lëndë narkotike e dyshuar canabis sativa.

U sekuestruan në cilësinë e provës materiale lënda narkotike, automjeti dhe pesë aparate celularë.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim dhe “Nxitja për përdorimin e drogës”.