Një aksident ku kanë mbetur të përfshira 6 automjete është regjistruar pak minuta më parë në autostradën Durrës-Tiranë, pranë urës së Fllakës.

Fotot nga vendngjarja tregojnë se 6 automjete kanë mbetur të dëmtuara, por, fatmirësisht, siç konfirmon policia e Durrësit për DurrësLajm, nuk ka të lënduar në njerëz.

Në vendngjarje ndodhet policia rrugore që po kryen veprimet e para hetimore dhe po punon për normalizimin e lëvizjes së mjeteve.

Paraprakisht dyshohet se ndonjë manovër e gabuar apo lagështira në rrugë mund të jetë bërë shkak për këtë aksident të shumëfishtë.

Si pasojë e përplasjes së 6-fishtë, trafiku është rënduar në këtë pjesë të autostradës.