Një tragjedi ka ndodhur këtë të martë në mbrëmje, në Gjermani, ku në një aksident automobilistik ka humbur jetën futbollisti shqiptar, Amir Ademi. Njoftimin për këtë ngjarje të rëndë e ka dhënë klubi shqiptar “FC Kosova Regensburg”, në rrjetin social “Facebook”.

"Të dashur vëllezër edhe motra e miq të nderuar. Me hidhërim edhe dhimbje të thellë ju lajmërojmë se vëllai, miku edhe i dashuri jonë, Amir Ademi ka ndërruar jetë pas një aksidenti tragjik që ka ndodhur mbrëmjen e djeshme.”– shkruhet në postimin në Facebook.

Futbollisti shqiptar nga Kosova, Amir Ademi ka ndërruar jetë duke lënë pas vete prindërit e tij, një motër më të vogël dhe një vëlla më të vogël.

Sipas mediave gjermane, 22-vjeçari u aksidentua në rrugën midis qyteteve Abensberg dhe Arnhofen, duke u kthyer pas stërvitjes.

Automjeti i tij, i markës Peugeot është përplasur me një Pasat, ku shoferi i kësaj veture është lënduar dhe është dërguar në spital, ndërsa vetura e futbollistit shqiptar ishte përfshirë nga zjarri, si pasojë futbollisti nuk mundi të shpëtojë.