Një aksident i rëndë me dy të vdekur dhe dy të plagosur ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në Ponoshec të Gjakovës në Kosovës. Sipas burimeve nga policia e Kosovës një mjet me targa të Shqipërisë ka dalë nga korsia e tij dhe është përplasur me mjetin që vinte përballë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Nusret Gjurkaj, ka konfirmuar se në vendngjarje kanë dalë zjarrfikësit dhe autoambulanca, ku është konstatuar vdekja e dy personave dhe dy të plagosurit.

“Vozitësi i automjetit me targa të Shqipërisë, i cili si pasojë e humbjes së kontrollit mbi automjetin e tij, del në shiritin tjetër duke goditur veturën qe ishte duke lëvizur në shiritin e tij. Në vend ngjarje kanë dal zjarrfikësit dhe autoambulanca, ku sipas ekipit mjekësor kanë konstatuar vdekjen e dy personave, pasagjeri i tretë ka pësuar lëndime serioze, ndërsa vozitësi i veturës ka pësuar lëndime të lehta trupore”, tha zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Gjurkaj për mediat vendase.