Është shoqëruar me tensione dhe konfrontime aksioni i IKMT në zonën e Jalës për prishjen e disa ndërtimeve të cilat pretendohet se janë pa leje dhe në tokë shtetërore. Janë rreth 10 objekte që pritet të prishen nga IKMT, ndërsa banorët shprehen se janë me dokumente dhe po i nxjerrin me dhunë nga banesat e tyre.

Në pamjet e siguruara nga BalkanWeb, shihet konfrontimi i disa banoreve me forcat e policisë, por më pas situata është vënë nën kontroll. Një banore ka refuzuar të zbresë nga prona, por më pas është nxjerrë me dhunë nga policia. Aktualisht nuk ka pushues në zonë dhe IKMT ka nisur shembjen e ndërtesës së parë.

Banorët thonë se po i nxjerrin me dhunë nga banesat e tyre dhe se disponojne dokumentet.

"Jemi me dokumente të rregullta dhe duan te na nxjerrin me dhunë nga prona e jone. Kemi bërë mbivendosje mbi pronën tonë dhe çështjen e kemi apeluar. Tani presim vendimin e gjykatës. Nuk kemi marrë asnjë njoftim zyrtar për aksionin, por na kanë njoftuar vetëm me gojë"– shprehen banorët.

Sipas IKMT, ky është një aksion i cili ishte paralajmëruar më parë dhe banorët janë njoftuar.