Ervin Nelaj, kreu i Kadastrës së Beratit, është arrestuar me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, pasi akuzohet për korrupsion.

Arrestimi i Nelajt erdhi pas 9 muajsh hetime nga ana e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat në bashkëpunim me SPAK.

Kreu i Kadastrës akuzohet për “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer në bashkëpunim.

Ervin Nelaj dyshohet se gjatë ushtrimit të detyrës ka përvetësuar shuma parash nga persona të ndryshëm, me qëllim pajisjen e tyre me dokumentet e lejes së legalizimit.

Njoftimi i plotë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Aluizni”, për goditjen e korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike. Operacioni nga Drejtoria Vendore e Policisë Berat dhe SPAK-u.

Pas një hetimi 9-mujor u finalizua operacioni policor i koduar “Aluizni”, në kuadër të të cilit u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasin E. N., 38 vjeç, banues në Berat, me detyrë drejtor i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Drejtorinë Rajonale Berat.

Ky shtetas dyshohet se gjatë ushtrimit të detyrës ka përvetësuar shuma parash nga persona të ndryshëm, me qëllim pajisjen e tyre me dokumentet e lejes së legalizimit.

Vijon puna për dokumentimin ligjor të plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari korruptive.