Policia e Tiranës ka dhënë detaje nga arrestimi i ish-kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku.

Burimet zyrtare konfirmojnë se ekzekutimi i vendimit penal është bërë në ambientet e një spitali privat në Tiranë, ku aktualisht ish-kryebashkiaku po trajtohet me ndihmë të specializuar mjekësore.

NJOFTIMI I POLICISË

Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tirane u krye ekzekutimi i urdhrit të prokurorit, për ndalimin e shtetasit në kërkim: A. K., 49 vjeç, banues në Tiranë.

Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tirane ka dërguar urdhrin e ekzekutimit të datës 09.11.2019, bazuar në vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila i ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, “Falsifikimi i dokumenteve zyrtare” dhe “Kryerja e funksionit pas dhënies fund të tij”.

Ekzekutimi i vendimit penal është bërë në ambientet e një spitali privat në Tiranë, ku aktualisht ky shtetas po trajtohet me ndihmë të specializuar mjekësore. Materialet do t’i kalojnë për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.