Policia shqiptare ka bërë një sqarim në lidhje me arrestimin e shqiptarit në Greqi, i dyshuar si i lidhur me ISIS.

Në një njoftim për mediat, policia e Shtetit thotë se Leonardo Rustemi nga Berati është arrestuar nga autoritetet greke për vjedhje dhe se në Shqipëri dhe në Greqi nuk ka asnjë të dhënë se është pjesë e ISIS.

Sqarim në lidhje me një lajm të publikuar në media

Në datë 21.05.2018 në disa media shqiptare është publikuar lajmi mbi arrestimin në Greqi, sapo ka dalë nga P.K.K Kakavijë, të shtetasit shqiptar Leonardo Rustemi, i dyshuar si pjesëtar i ISIS-it.

Lidhur me këtë lajm, janë kryer verifikime nga ku ka rezultuar se shtetasi në fjalë ka gjeneralitetet Leonardo Rustemi, 41 vjeç, lindur dhe banues në Donofrosë, Berat.

Ky shtetas është arrestuar pasi gjykata e Larisës ka urdhëruar arrestimin e tij për vjedhje.
Deri më tani nuk ka asnjë të dhënë as nga autoritetet shqiptare dhe as nga ato të huaja përfshirë dhe Greqinë, që të kenë të dhëna implikuese për këtë shtetas, si pjesë e ISIS.