3 shqiptarë, dy djem dhe një vajzë, janë vënë në prangat e policisë italiane për shkak se akuzohen për grabitje të shumta të kryera.

Sipas mediave italiane, vjedhjet që kishin arritur të kryenin shqiptarët kapin një shumë prej 100 mijë eurosh ndërsa mësohet se vjedhjet më të mëdha janë kryer gjatë festave të fundvitit. Arrestimi i shqiptarëve ka ardhur falë bashkëpunimit që policia bëri me banorët e zonës midis provincave të Pizës dhe Luccës në periudhën nga 31 dhjetori deri në 3 janar.

Pas kontrolleve në banesën ku jetonin tre shqiptarët e arrestuar, policia gjeti një ‘minierë ari’  me ora të markave të shtrenjta si Rolex, Sector, Casio, Cartier, si dhe sende të tjera të çmuara si vathë, unaza, gjerdanë, byzylykë ari dhe gurë të çmuar përfshirë diamante, smerald dhe rubin të cilat kishin një vlerë të konsiderueshme të hollash.

Shqiptarëve u është gjetur edhe një sasi prej 1 kg kokainë, si dhe 3000 euro dhe 60 stërlina. Për sa i përket vajzës së arrestuar rezulton se ajo është përfshirë në ngjarje kriminale edhe herë të tjera.