Tre të rinj kanë rënë në prangat e Policisë së Tiranës këtë të enjte. 

Arrestimi i tyre është bërë në kuadër të aksioneve antidrogë. Burime policore bëjnë të ditur se janë goditur dy raste të prodhimit dhe shpërndarjes të lëndëve narkotike, ku u sekuestruan 2 kg e 384 gr, lëndë narkotike, armë, fishekë, mjet tip “Ford”dhe një aparat celular “Iphone”.

Njoftimi i policisë:

Në datë 22.11.2017, Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me shërbimet e posaçme “Shqiponja”, të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, pas një pune intensive për goditjen e veprimtarisë të kundraligjshme në fushën e narkotikëve, në rrugën “Ibrahim Rugova”, në vendin e quajtur “Ura e Tajvanit”, kanë arrestuar në flagrancë shtetasit:

• Elia Shahu, 21 vjeç, banues në Tiranë

• Fatjon Ormani, 21 vjeç, banues në Tiranë

Këta dy shtetas ushtronin veprimtarinë e kundraligjshme të shpërndarjes së lëndëve narkotike të llojit “Cannabis Sativa“, kryesisht në shkollat e mesme, si dhe në zona të ndryshme në qytetin e Tiranës.

Gjatë kontrollit fizik iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:

– 26,8 gr lëndë e dyshuar narkotike të llojit “Cannabis Sattiva”

Gjithashtu në vijim të kontrolleve të ushtruara në zonën e Paskuqanit u arrestua shtetasi:

• Elton Laçi, 24 vjeç, banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën dhe lokalin e këtij shtetasi u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:

• 2 kg e 357 gr lëndë e dyshuar narkotike e llojit “Cannabis Sattiva”.

• 1 armë gjahu teke

• 4 fishekë model 56,

• Mjeti tip “Ford”

• 1 telefon tip “Iphone 5”.

Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqesor Tiranë në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur për veprat penale të “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” të parashikuar nga neni 283/2, 278 të Kodit Penal.