Një aksident tragjik është regjistruar mbrëmjen e së shtunës në aksin rrugor Fushë Krujë-Laç, ku për pasojë ka ndërruar jetë një 46-vjeçar dhe kanë mbetur të plagosura dy shtetase, nga Puka.

Policia e Durrësit njofton se kanë arrestuar në flagrancë dy drejtues mjeti të përfshirë në aksident.

“Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, arrestuan në flagrancë shtetasit D. S., 40 banues në Krujë dhe B. M., 52 vjeç, banues në Has, pasi më datë 23.01.2021, në orën 22:40, në aksin rrugor Fushë Krujë-Laç, shtetasi D. S., duke drejtuar mjetin tip “Toyota”, është përplasur me mjetin tip “Ford”, me drejtues shtetasin A. S., 46 vjeç, banues në Pukë e më pas me mjetin tip “Audi”, me drejtues shtetasin B. M., i cili drejtonte mjetin në gjëndje të dehur. Si pasojë e përplasjes ka ndërruar jetë shoferi i mjetit tip “Ford”,  A. S., 46 vjeç dhe ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve pasagjerët në mjet, shtetaset D. S., 64 vjeçe dhe P. S., 68 vjeçe, banuese në Pukë.”– njofton policia.

Grupi hetimor po heton për të për të përcaktuar rrethanat e aksidentit dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, për veprime të mëtejshme.