Prokuroria e Rrethi Gjyqësor Shkodër në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor Rajoni Verior Shkodër, Sektorin e Hetimit, pas një hetimi 3-mujor, ka zbardhur skemën për përfitimin e TVSH-së në formë rimbursimi në vlerën 44,602,171 lekë të rinj.

Subjekti “General Impex” nëpërmjet aktivitetit të tij i ka shkaktuar dëm ekonomik shtetit në vlerën 248, 994, 420 lekë nëpërmjet fshehjes së të ardhurave dhe 73.666.095 lekë të rinj nëpërmjet mospagimit të taksave dhe tatimeve. Për këtë në pranga kanë përfunduar dy pronarët e subjektit “Vip”.

Pas verifikimeve nga Prokuroria dhe Hetimi Tatimor Rajoni Verior, Prokuroria e rrethit gjyqësor Shkodër ka lëshuar 2 urdhër arreste për pronarët e subjektit, shtetasit me inicialet K.M. dhe D.Th. si dhe ka marrë masën e pezullimit të ushtrimit të detyrës për noterin me inicialet Gj.K. dhe masës së detyrimit paraqitje për shtetasin A.B, pronar i një subjekti të lidhur si pjesë e mashtrimit me TVSH-në.

Këta shtetas kanë konsumuar veprat penale në bazë të nenit 180 “Fshehje e të ardhurave”, neni 181 “Mos pagim i taksave dhe tatimeve”, ndërsa për noterin “Falsifikim i dokumenteve” parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal.