Kapet dhe ndalohet një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i shpallur në kërkim për vrasje, i cili qarkullonte me armë zjarri me fishek në fole, autor i ngjarjes së ndodhur më datë 17.12.2017 ku ka mbetur i vrarë shtetasi Angjelin Shkëmbi.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “IRON HAND”, ku si rezultat është kapur dhe ndaluar shtetasi:

Artan Koçeku 29 vjeç, banues në fshatin Pog, Shkodër.

Ky person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, në momentin e kapjes nga Forca e Posaçme "Shqiponjat", ka tentuar të largohet me vrap, por është neutralizuar dhe shoqëruar në ambientet e D.V.P Shkodër. Për këtë shtetas në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datën 17. 12. 2017, Gjykata ka vendosur masën e sigurisë "Arrest në burg".

Gjatë kontrollit në automjetin me të cilin udhëtonte, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip "pistoletë" me fishek në fole dhe një krehër me fishekë që i përkiste një arme tjetër zjarri tip "pistoletë".

Gjithashtu, në automjet së bashku me këtë person, ka qenë edhe shtetasi Rr. D., 24 vjeç, banues në Tiranë, i cili u arrestua në flagrancë për veprën penale "Përkrahja e autorit të krimit" .

Përmbledhja e ngjarjes së ndodhur:

Shtetasi Artan Koçeku i cili ka përfituar leje shpërblimi nga burgu i Peqinit ku vuante dënimin për ngjarjen e ndodhur në vitin 2013, për veprën penale “Vjedhja me armë”, nuk u paraqit në vendin e vuajtjes së dënimit në ditën e caktuar. Gjatë kësaj kohe me datë 17.12.2017, ky person ka vrarë me armë zjarri shtetasin Angjelin Shkëmbi 35 vjeç, banues në Pulaj, Velipojë, Shkodër.

I njëjti person në vitin 2018 është përfshirë në një konflikt me armë, dhe gjatë ndjekjes nga Policia, ka braktisur mjetin në fshatin Shtoj i Ri dhe ka mundur të largohet.

Materialet iu referuan Prokurorisë për veprat penale “Vrasja me paramendim", “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak" dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit"