Një 31-vjeçar nga Durrësi ka rënë në prangat e policisë së Beratit ndërsa një 36-vjeçar është shpallur në kërkim.

Dy shtetasit, në një pjesë pylli që e kishin shpyllëzuar, në vendin e quajtur “Gorica e madhe”, në fshatin Panarit, Bashkia Poliçan, ju gjetën 253 bimë narkotike.

Njoftimi i policisë:

Berat

Vijon kontrolli masiv i territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.

Shërbimet e Policisë po përdorin dronët për monitorimin e zonave të thella e pyjore.

Gjatë kontrollit të territorit janë angazhuar forca të shumta policie dhe tre dronë.

Kontrollet masive vijojnë në të gjithë territorin e Qarkut Berat, në tokë nga punonjësit e Policisë dhe nga ajri me dronë.

Si rezultat i kontrolleve me dronë deri tani nuk është evidentuar asnjë rast i kultivimit të kanabisit.

Ndërsa gjatë kontrollit me këmbë të ushtruar nga punonjësit e Policisë, në zonën e Poliçanit u konstatua një rast tentative kultivimi. Policia ka vënë në pranga shtetasin V. M., 31 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe ka shpallur në kërkim shtetasin L. M., 36 vjeç banues në Tiranë, pasi në një pjesë pylli që e kishin shpyllëzuar, në vendin e quajtur “Gorica e madhe”, në fshatin Panarit, Bashkia Poliçan, u evidentuan 253 bimë narkotike.

Kontrolli i territorit do të vijojë pa ndërprerë, duke kontrolluar çdo cep të territorit, edhe në zonat më të largëta, falë përdorimit të flotës së dronëve dhe helikopterëve.

#ShqipëriPaKanabis