Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave pranë ministrisë së Brendshme në bashkëpunim me prokurorinë kanë arrestuar punonjësin e policisë, Ledion Bako.

Agjenti i krimeve i komisariatit nr.2 është arrestuar gjatë një operacioni për zbulimin dhe ndalimin e një grupi që merrej me shpërndarjen e lëndëve narkotike. Bako është ndaluar mbrëmjen e të martës në zonën e Linzës në Dajt, në momentin kur po udhëtonte me makinë me 3 persona të tjerë.

Burimet bëjnë me dije se efektivit i është gjetur sasia prej 30 gramësh lëndë narkotike dhe një armë pa leje. Së bashku me Bakon, janë ndaluar dhe 3 personat e tjerë si të dyshuar për shpërndarje të kanabisit. 

I arrestuari akuzohet për shpërndarje narkotikësh, shpërdorim detyre, dhe armëmbajtje pa leje.