Me urdhër të SPAK policia e Tiranës kreu sot ekzekutimin e urdhërarresteve për disa zyrtarë të OSHEE-së.

Prangat i janë vënë ish+drejtorit të prokurorimeve të OSHEE-së Erlis Bushati, ndërsa është shpallur në kërkim ish-shefja e kabinetit e drejtorit të OSHEE-së, Albana Ferra.
Dy zyrtarët e tjerë për të cilët është ekzekutuar urdhërarrestet janë Irma Derguti dhe Athinta Papa, anëtare të Komisionit te Vlerësimit të Ofertave janë lënë në arrest shtëpie.

Objekt i hetimeve paraprake të këtij proçedimi penal janë veprimet dhe mosveprimet e kryera lidhur me proçedurën e prokurimit “Shërbim-Konsulencë”, për lidhjen e kontratës me objekt “Asistencë teknike për ndarjen e aktivitetit të shpërndarjes së energjisë elektrike nga furnizimi i energjisë elektrike së bashku me përmirësimin e cilësisë së shërbimit të klientit të OSHEE sh.a”, me fond limit 138500000 lekë.
Favorizuan shoqerine tregtare me seli ne Milano

Proçedura e prokurimit është zhvilluar në vitin 2016 nga shoqëria aksionere Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike GROUP sh.a, shoqëri aksionare me aksionar të vetëm Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë.

“Nga veprimet hetimore të kryera janë krijuar dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se shtetasit Elis Bushati, Athinta Papa dhe Irma Dërguti, anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, që kanë marrë pjesë në këtë proçedurë prokurimi dhe që kanë shqyrtuar dhe vlerësuar ofertat e paraqitura nga operatorët ekonomikë pjesëmarrës kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin nr.9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, të ndryshuar dhe me V.K.M Nr.914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, të ndryshuar, duke favorizuar në mënyrë të padrejtë shoqërinë tregtare “COM METODI” S.P.A, me seli në Milano, Itali” thuhet në njoftimin e SPAK.

Sipas prokurorisë për këtë ish shefja e kabinetit e drejtorit të OSHEE-së, Albana Ferra ka përfituar 131 mije euro.

“Njëkohësisht, nga veprimet hetimore të kryera janë krijuar dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se shtetasja Albana Ferraj, e cila gjatë kohës së zhvillimit të kësaj procedure prokurimi dhe zbatimit të kontratës për të cilën është kryer prokurimi ka kryer funksionin e Drejtorit të Divizionit Tregtar dhe Drejtorit të Kabinetit në shoqërinë tregtare OSHEE sh.a, ka marrë përfitime të parregullta, në shumën prej 131.880 euro, me qëllim për të favorizuar shoqërinë tregtare “COM METODI” S.P.A në proçedurën e prokurimit të zhvilluar në vitin 2016.
Me qëllim marrjen dhe përfitimin e kësaj shume monetare, që përbën njëkohësisht produkt të veprës penale të korrupsionit pasiv, shtetasja Albana Ferraj ka krijuar një marrëdhënie fiktive midis saj dhe shoqërisë “COM METODI” S.P.A, duke përdorur edhe një shoqëri tjetër me seli në Shqipëri, duke fshehur dhe mbuluar natyrën e kundraligjshme të origjinës së shumës monetare të mësipërme, duke e ditur që shuma monetare përbën produkt të veprës penale”.

Procedimi penal – Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, mbi bazën e verifikimeve të kryera kryesisht, ka rregjistruar proçedimin penal nr.172 viti 2020 për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale“, të parashikuara nga nenet 258244259 dhe 287/1, gërmat (b) dhe (c) të Kodit Penal.
Personat e perfshire ne aferë

  • Albana Ferraj masë sigurimi personale “arrest ne burg” e parashikuar nga neni 238 i K. Pr. Penale, si e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga nenet 259 dhe 287/1. gërmat (b) dhe (c) të Kodit Penal.
  • Elis Bushati masë sigurimi personale “arrest ne burg” e parashikuar nga neni 238 K. Pr. Penale, si i dyshuar për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo në ankande publike” të parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal
  • Irma Dërguti masë sigurimit personale “arrest ne shtëpi” e parashikuar nga neni 237 i K. Pr. Penale, si e dyshuar për veprën penale “Shkelja e baraz së pjesëmarrësve në tendera apo në ankande publike të parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.
  • Athinta Papa masë sigurimi personale “arrest ne shtëpi” e parashikuar nga neni 237 K. Pr. Penale, si e dyshuar për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo në ankande publike” të parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.

Hetimet paraprake për këtë proçedim penal janë në vazhdim e sipër dhe ende nuk kanë përfunduar.