Paraditen e sotme, policia italiane ka arrestuar një 42-vjeçar shqiptar, që kishte fshehur pranë baterisë së automjetit tip Renault një kilogram kokainë.

Arrestimi në flagrancë i shqiptarit, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur ka ndodhur në autostradën A2, në zonën e Basilikatës.

Shqiptari është ndaluar për një kontroll rutinë, por gjatë përgjigjeve që u ka dhënë karabinierëve ka rënë në kontradiktë me atë nga vinte dhe ku po shkonte, raportojnë mediet lokale.

Nga kontrolli i imtësishëm i makinës është bërë i mundur zbulimi i sasisë së kokainës, që ishte e pastër në masën 80%.

Lënda narkotike ishte fshehur mjaft mirë dhe ishte mbështjellë me cellofon dhe substancë xhelatinoze për t’i shpëtuar kontrolleve.

Nga ajo mund të realizoheshin deri në 5000 doza dhe mund të arrinte vlerën 50-60 mijë euro nga shitja me pakicë. Ndërkohë që nga shitja me shumicë prej saj mund të fitohej 30-35 mijë euro.