Policia gjermane në Dusseldorf ka arrestuar një 31-vjeçar shqiptar, i cili ishte shpallur në kërkim nga autoritetet austriake. Ai dyshohet se ka marrë pjesë në vrasjen e një 46-vjeçari boshnjak mbrëmjen e 4 qershorit në Salzburg, ku mbeti i plagosur edhe djali i viktimës.

Identiteti i plotë i shqiptarit të arrestuar nuk është bërë publik por mediat gjermane shkruajnë se ai njihet me emrin Klodi dhe është nga Tirana.

31-vjeçari u arrestua në një lokal gjatë kontrolleve rutinë të policisë gjermane dhe sipas një zëdhënësi të policisë së Dusseldorf, nuk ka bërë rezistencë gjatë ndalimit.

Shqiptari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet austriake pas vrasjes dhe do të ekstradohet në Austri për t’u përballur me akuzat. Për këtë krim, më herët është arrestuar edhe një shqiptar tjetër 34-vjeçar. Aktualisht ai është në paraburgim, por roli i tij në ngjarje nuk është i qartë.