Policia Kufitare e Morinës ka evidentuar dhe goditur një rast të tentativës për të hyrë në teritorin shqiptar me armë zjarri me vete.

Personazhi që po tentonte të kalonte me armë në territorin shqiptar është figurë e njohur, këngëtarja Fjolla Morina e cila ka përfunduar në prangat e policisë.

Burimet zyrtare njoftojnë se 34-vjeçarja udhëtonte me shtetasit F.M., dhe F.S., banues në Kosovë e Belgjikë.

Mësohet se forcat blu kanë sekuestruar një armë zjarri pistolete me 23 fishekë luftarak si dhe një pistoletë çakmak.

NJOFTIMI I POLICISË

Në vjim të veprimeve nga Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Kukës vihen në pranga edhe dy shtetasit që udhëtonin në automjet me shtetasen që posedonte armën e zjarrit.

Shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë, në zbatim të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, kanë intensifikuar kontrollet si në dalje, ashtu dhe në hyrje.

Si rezultat i kontrolleve të shtuara bazuar në analizën e riskut të bërë nga shërbimet e Policisë Kufitare të Morinës, është kaluar në vijën e dytë për kontroll më të imtësishëm, mjeti tip “Audi”, me drejtuese shtetasen F.M., 34 vjeçe, banuese në Prishtinë, Kosovë, e cila udhëtonte me shtetasit F.M., dhe F.S., banues në Kosovë e Belgjikë.

Gjatë kontrollit të kryer në vijën e dytë, në çantën e dorës së shtetases F.M, Policia Kufitare gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip “Zoraki”, me 23 fishek.

Ndërsa në bagazh të automjetit u gjet një pistolet në dukje e dyshuar lodër cakmak.

Në përfundim të veprimeve hetimore, Specialistët për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm dhe Narkotikëve në DVP Kukës, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve;

F.M., 34 vjeçe, banues në Prishtinë, Kosovë, F.M., 29 vjeç, banues Bresalc, Kosovë dhe F.S., 29 vjeç, banues për Belgjikë.

Arrestimi i tyre u bë për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës për veprime të mëtejshme.