Personi i arrestuar është Andi Jonuzaj, 44 vjeç, banues në Vlorë, i cili me automjetin tip “Ford”, tentoi të largohej bashkë me një armë zjarri tip kallashnikovi.

Sipas policisë, rreth orës 14:20, në lagjen “Bashkimi” të Vlorës, në bashkëpunim me një person tjetër, i cili është shpallur në kërkim, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit 31-vjeçarit, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë.

Personi që ka ndërruar jetë ka pasur me vete një pistoletë, thonë banorët. Viktima ka qëndruar më shumë se 5 minuta i shtrirë në rrugë dhe është marrë  nga ambulanca ndërsa ndërroi jetë rrugës për spital pasi nuk i mbijetoi dot plagëve të marra.

Njoftimi i policisë:

Policia e Vlorës kap dhe arreston në kohë rekord një nga autorët e dyshuar të vrasjes së 31-vjeçarit.  Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe forcat e posaçme “Shqiponjat”, pas njoftimit të marrë se në lagjen “Bashkimi”, në afërsi të Gjykatës së Apelit Vlorë, kishte të shtëna me armë zjarri, menjëherë kanë shkuar në vendngjarje.  Falë veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore, krehjes së zonës dhe reagimit të menjëhershëm u bë e mundur kapja dhe arrestimi i njërit prej autorëve të dyshuar të ngjarjes, shtetasi: H. J., 44 vjeç, banues në Vlorë. Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale automjetin tip “Ford”, me të cilin autori tentoi të largohej, si dhe një armë zjarri kallashnikov. Ky shtetas, sot, rreth orës 14:20, në lagjen “Bashkimi”, Vlorë, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, i cili është shpallur në kërkim, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit T. GJ., 31 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit tjetër.