Policia italiane ka arrestuar një shqiptar 34-vjeçar, që dhunonte bashkëshorten e tij 26 vjeçe. 

Burri “aplikonte” “Kodin e Kanunit” në dhunën ndaj bashkëshortes, duke e detyruar atë që të mos ulej në tavolinë me familjarët e tij dhe t'i dorëzonte pagesën mujore të punës.

Mediat italiane raportojnë se dhuna ishte e përditshme dhe e vazhdueshme, fizikisht dhe psikologjikisht. Burri kishte arritur ta qëllonte edhe me dru në fytyrë, duke e lënë bashkëshorten me dhëmbë të thyer.

Në një moment bashkëshortja kishte gjetur guximin, për t'i kërkuar divorcin burrit të saj por ai i kishte lidhur këmbët dhe duart dhe pasi i kishte vendosur çorapen në gojë, që të mos dëgjoheshin të bërtiturat, i kishte prerë dorën me thikë.

Gruaja është ndihmuar nga stafi i Shoqatës Kundër Dhunës “Giulia dhe Rossella” në Barletta, dhe pas shumë abuzimeve, më në fund gruaja shqiptare kishte gjetur guximin për të denoncuar burrin e saj në rajonin e policisë në Barletta.