• Finalizohet operacioni "Udhëtari", zhvilluar nga Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë  Durrës. 
  • Vidhte lekët dhe sende me vlerë të udhëtarëve të autobuzit të linjës Durrës-Plazh, vihet në pranga nga Policia.
  • Arrestohet 42 vjeçari,  i cili dyshohet se ka kryer një sërë vjedhjesh të pasagjerëve të linjës për në Plazh.
  • Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 200 euro , që ua kishte vjedhur pasagjerëve të linjës.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës kanë finalizuar me sukses një tjetër operacion në fushën e mbrojtjes së pasurisë, duke arrestuar në flagrancë shtetasin  A.M., 42 vjeç, banues në  Durrës, i dënuar më  parë për veprën penale të vjedhjes.

Shtetësi i mësipërm, më datë  24.08.2019, në  mbrëmje,  në  lagjen Nr .17/1 Durrës,  në urbanin e linjës Durrës – Plazhi dyshohet se i ka vjedhur shtetasit E.B., banues në  Mitrovicë, portofolin ku kishte 200 €, karta banke, kartë identiteti.

Më pas ka tentuar të  largohet, por falë ndërhyrjes së menjëhershme të Shërbimeve të Policisë është bërë e mundur kapja e tij. Në cilësinë e provës materiale  u gjetën dhe sekuestruan një sasi parash në €, portofol, kartë banke dhe kartë identiteti.

Nga hetimet e kryera  rezulton  dhe është dokumentuar  se shtetasi i arrestuar  gjatë  dy muajve të fundit ka realizuar disa vjedhje portofolash të udhëtarëve të ndryshëm  te cilet udhetonin me urbanin e linjës  Durrës -Plazh.

Vjedhjet për të cilat akuzohet:

• Më datë 07.06.2019 dyshohet se në urban, në xhep i ka vjedhur portofolin shtetasit E.D., ku kishte vlera monetare dhe dokumenta.

• Më datë 03.08.2019 dyshohet se në urban i ka vjedhur shtetases I.H., portofolin dhe telefonin celular.

• Më datë 15.08.2019, dyshohet se në urban i ka vjedhur shtetasit A.D.,  portofolin ku kishte vlera monetare dhe dokumenta.